Një stuhi e fortë dëbore ka goditur orët e fundit Spanjën, duke krijuar mjaft probleme në shumicën e vendit. Deri më tani raportohen 4 viktima, 2 në Madrid dhe 2 në Malaga.

Në Madrid ka ndërhyrë ushtria për të liruar rrugët dhe ndihmuar personat e bllokuar në makina në autostrada. Është mbyllur pa afat aeroporti i Madridit, pasi ka qenë i pamundur fluturimi dhe ulja në pistë (janë anulluar mbi 50 fluturime).

Qeveria iberike i ka kërkuar qytetarëve që të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi, pasi bëhet fjalë për motin më të keq të dimrit në 50 vitet e fundit. Madridi është zbardhur tërësisht nga bora.

Janë pezulluar edhe udhëtimet me trenin e shpejtë që kanë si destinacion Madridin e Valencia. Po ashtu, të mbyllura janë metrotë dhe shërbimi urban në këto qytete, më të prekurat nga stuhia e dëborës.