Tragjedia e shmangur në Riva, afër Stambollit, në Turqi, ku ka selinë  federata e futbollit. Altintop ka rrezikuar të humbë jetën nga të shtënat e një bande që ka qëlluar drejt ndërtesës.

Gjithçka, siç ka raportuar Goal.com, ka ndodhur në pak minuta. Zëdhënësi qeveritar i Partisë për drejtësinë dhe zhvillimin, Omer Celik, e ka dhënë lajmin për shtypin pasi ka folur në telefon me shefin e TFF, Mehmet Büyükekşi.

Sulmi

Shtypi lokal ka folur për një sulm të vërtetë. Disa burra kanë qëlluar me armë pasi kanë mbërritur te ndërtesa. Dhe nuk kanë zgjedhur një ditë të rastësishme.

Sulmi, që ka patur në shënjestër katin e parë ku po zhvillohej mbledhja, nuk ka shkaktuar të vdekur dhe të plagosur, por ka shkaktuar shumë frikë për të pranishmit.

Altintop, një nga futbollistët që ka shkruar historinë e futbollit turk, me një të kaluar te Real Madrid dhe Galatasaray, është prekur rrëshqitazi nga një plumb.

Panik

Një tragjedi e shmangur. Një nga plumbat ka kaluar sipër kokës së ish-futbollistit. Një tjetër ka goditur dhomën presidenciale. Më pas është gjetur një tjetër në dhomën ku ndodhej këshilli administrativ. Dëshmia është rrëqethëse.

“Kemi dëgjuar të shtëna dhe jemi hedhur menjëherë në tokë. Një plumb më ka shkuar shumë afër, mendonin se isha i plagosur. Kemi qenë me fat. Shpresoj që autorët të gjenden shpejt”, ka thënë Altintop.