Festivali “Sunny Hill” do të ngrejë siparin sonte në Prishtinë dhe do të zgjasë katër netë rresht, deri më 7 gusht.
Ky është një nga eventet më të shumëpritura në Kosovë, që rikthehet sërish pas një shkëputjeje dy vjeçare për shkak të pandemisë.
Një sërë artistësh, yje botërorë e shqiptarë do të performojnë në këtë festival, duke nisur nga Dua Lipa, J Balvin, Mahmood etj, të cilët do të këndojnë në netë të ndryshme.
Sakaq, në konferencën zyrtare për shtyp, në prag të mbrëmjes së parë të festivalit kanë dalë iniciatorët e këtij eventi, Dua Lipa e i ati, Dukagjin Lipa, si edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Këngëtarja shqiptare ka mbërritur që dje në Kosovë e pritet të këndojë sonte për të gjithë fansat e saj shqiptarë.
Duke folur në konferencën për media, ajo i falenderoi të gjithë për mbështetjen që japin për të organizuar një festival të tillë dhe u shpreh krenare që është në Kosovë, ndërsa premtoi se të gjithë të pranishmit do të kënaqen dhe se mezi pret të dalë në skenë. “Ndihem shumë krenare që jam këtu. Do të kënaqemi shumë sonte”.
Kujtojmë se festivali “Sunny Hill” do të mbahet edhe në Tiranë në data 26-27-28 gusht.