Po nëse Christian Eriksen kthehet në të kaluarën? Pista e bujshme ka të bëjë me Tottenham, të interesuar për ta rikuperuar danezin, i cili ka pasur veç zhgënjim me Interin. Intriga e merkatos së janarit zbulohet nga “Sky”, sipas të cilit Josè Mourinho do ta mirëpriste përsëri në Londër, por vetëm me formulën e huazimit.

Për të ngadalësuar marrëveshjen përfundimtare është paga e lartë e fituar nga Eriksen tek Interi, 7.5 milionë euro, të cilat për momentin përfaqësojnë një kafshatë të konsiderueshme për “Spurs”.

Përfaqësuesit e danezit janë ende në bisedime me klube të ndryshme, veçanërisht në Premier League, për t’i gjetur një vend klientit të tyre. As ndeshja si titullar në Kupën e Italisë, kundër Fiorentinës, duket se nuk e ka bindur Conte që ta mbajë Eriksen.