Pak ditë pasi bënë publike itinerarin e maratonës që do të zhvillohet në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, organizatorët e këtij eventi kanë konfirmuar se kjo garë do të jetë e hapur. Çka do të thotë se më 10 dhe 11 gusht, datat kur zhvillohen dy maratonat (femra dhe meshkuj), mund të garojnë edhe persona që nuk janë në Olimpiadë si sportistë.

Është vendosur që në rrugët e Parisit, veç atletëve që do të garojnë për medaljet olimpike, të jenë edhe persona të tjerë, që kanë pasion këtë disiplinë sportive. Do të lejohet maksimumi deri në 20 mijë persona në secilën maratonë. Pra, 40 mijë në total për të dyja maratonat (20 mijë më 10 gusht dhe 20 mijë më 11 gusht).

Ndërkohë, do të jetë edhe një garë e hapur për amatorë, e gjatë 10km, por ende nuk është saktësuar data. Për të marrë pjesë në këto gara, personat duhet të regjistrohen përmes një aplikacioni (paris2024 marathon pours tous) dhe ata që duan të garojnë duhet të plotësojnë disa kritire.

Të gjithë personat që regjistrohen do të koleksionojnë pikë për të marrë pjesë në maratonat e hapura, duke qenë se aplikimet mund të jenë mbi kuotën e lejuar. Personat që do të fitojnë të drejtën e pjesëmarrjes në maratonë do të kualifikohen më tej në “Club Paris 2024”.

Për spektatorët që duan të ndjekin nga afër garat, bileta do të kushtojë 24 euro. Në total do të jenë 7000 bileta që do të hidhen në shitje për garën e maratonës.