Në maj, pasi festoi 100-vjetorin e lindjes, u paraqit në autoshkollë. Atje nuk patën asnjë dyshim. Candida Uderzo sheh shumë mirë, mendon dhe di të drejtojë makinën. Rezultati? Licenca e rinovuar edhe për dy vite të tjera për të moshuarën që jeton në Breganze, në zonën e Vicenzës. Kjo leje drejtimi do t’i skadojë në vitin 2024, kur ajo të jetë 102 vjeçe.

“Unë jam 100 vjeçe, kam qenë vërtet me fat për shëndetin që kam pasur në jetë, – thotë ajo. – A kam shkuar ndonjëherë në spital? Vetëm një herë për hernie, kaq mjafton”. Candida Uderzo, e lindur në vitin 1922, ndihet (dhe është) në formë të përkryer, aq shumë sa vazhdon të lëvizë me makinë dhe biçikletë për të vizituar motrën e saj, por edhe në këmbë.

“Çdo të diel në orën 6 të mëngjesit jam gati të lëviz në këmbë, – tregon ajo. – Vetëm ose me miqtë e mi nisem për shëtitjen e së dielës. Më pëlqen shumë të eci dhe nuk kam ndërmend të ndalem”. Ajo filloi të ecte shumë në këmbë kur ishte pak më shumë se 50 vjeçe, menjëherë pasi mbeti e ve (burri i saj, Vittorio Salin, vdiq kur ishte 52 vjeç):

“Fillova ecjet e gjata me miqtë e mi, kaloja kohë me shoqërinë, duke biseduar dhe qeshur. Kjo më ka ndihmuar shumë. Kështu që kur dola në pension u futa në grupin Laverda. Dhe që nga ai moment nuk kam humbur asnjë ecje të së dielës”.

100-year-old Italian woman has driving licence renewed | Italy | The  Guardian

Përveç dëgjimit të saj paksa të vagëlluar, Candida Uderzo duket sikur të jetë 20 vite më e re. “Kam pasur fatin të arrij deri këtu pa e shqetësuar askënd, – thotë ajo. – Ha gjithçka, kam qenë gjithmonë e apasionuar pas jetës. Më pëlqente të shkoja në mal për të ecur, mblidhja kërpudha, lëvizja. Më ka ndihmuar shkëmbimi i mendimeve me njerëz të tjerë. Me pak fjalë, unë nuk jam dikush që kam qenë gjithmonë e mbyllur në shtëpi”.

“Candida? Për 50 vite ajo ka qenë një forcë e natyrës, – thotë Wilma Abriani, presidente e grupit Laverda. – Për sa më kujtohet, ajo nuk ka pasur kurrë asnjë problem shëndetësor”. A ka përdorur ilaçe? “Ndonjëherë marr disa pilula për të fjetur kur vuaj nga pagjumësia, – buzëqesh Candida Uderzo, – por asgjë tjetër”.

Candida dhe bashkëshorti i saj kishin vetëm një fëmijë, Gianni. “Kur ia rinovuan patentën, pothuajse nuk e besova, – thotë i biri. – Mendova se do t’ia hiqnin. Është e vërtetë që ajo është e përsosur fizikisht, e aftë për të kuptuar dhe e gatshme të lexojë gazetën pa syze. Ajo është vërtet e shëndetshme. Ne i kërkuam që të ishte e sigurt, të qëndronte këtu përreth. Nuk ia kemi vendosur ende GPS-in në makinë, por zakonisht na tregon se ku po shkon”.