Moderatorja Dojna Mema është në ditët e fundit të lindjes. Dojna ka dhënë një intervistë për “Revista Who”, duke zbuluar gjithçka nga muajt e parë të shtatzënisë, si dhe dëshirat që ka për djalin kur të vijë në jetë…
“Muajt e parë, të lodhshëm duke qenë se unë isha në kulmin e punës si autore dhe moderatore e “Fan Club”. Mbaj mend muajin e tretë që ishte edhe më intensivi i ngjarjeve brenda në “Big Brother Vip”, ndërkohë mundohesha të mos më zinte gjumi kudo, ndonjëherë edhe ulur.
Kështu tre muajt e parë djali ka dëgjuar vetëm biseda televizioni. Në tremestrin e dytë kam udhëtuar shumë dhe rrjedhimisht ka dëgjuar gjuhë nga më të ndryshmet. Unë e kam jetuar në maksimum atë periudhë dhe ka qenë padyshim më e bukura gjatë kësaj shtatzënie.
Sa i përket tremujorit të fundit, babi kompozoi një këngë të re, ndaj ka dëgjuar muzikë të mirë. Unë jam tani në atë periudhë kur po numëroj edhe minutat. Ai e di kur dëshiron të vijë, uroj mos të vonojë shumë.
Në fillimet e shtatzënisë kam parë në ëndërr një fëmijë 3 ose 4 vjec, me flokë të gjatë që vraponte në plazh. Ishte me kurriz ndaj nuk munda të shquaja as tiparet dhe as gjininë, por e sigurt që dukej shumë i lirë. Unë ashtu e përfytyroj; të lirë, të shpenguar, pa komplekse që i gëzohet jetës si mami dhe babi i tij.
Sa i përket tipareve fizike mund të tingëlloj egocentrike kur dëshiroj të ketë sytë e buzët e mia, por e kemi me konsensus, për sa kohë do të ketë flokët e babit. Vlashenti thotë shpesh që do të dëshironte të isha shtatzënë gjithë jetën. Sipas tij, nuk kam qenë kurrë më e dashur dhe e kujdesshme se këtë periudhë.
Megjithatë, përtej kësaj, ai ka ditur të vërë në zbatim mjaft mirë filozofinë :”Një grua shtatzënë ka gjithmonë të drejtë”. Nuk kam patur një shtatzëni tekanjoze, më tepër se kam dashur që çdo gjë të ishte gati shumë shpejt. E kam bërë të montojë krevatin katër muaj para dhe shpesh ai kujton me humor muajin e tretë të shtatzënisë kur mendoja për fondin e universitetit të djalit”, u shpreh Mema.