Shqipëria pritet që të ketë këtë vit sezonin më të mirë turistik sa i përket turistëve të huaj, duke ia tejkaluar dhe vitit 2019 para pandemisë, që deri tani mbante rekordin.

Ashtu si dhe në maj, në qershor, numri i shtetasve të huaj që hynë në vend është rritur ndjeshëm, duke bërë që për 6 mujorin, ardhjet e turistëve të rriten ndjeshëm në raport me 2019-n.

Sipas të dhënave të INSTAT, për periudhën janar-qershor, në vend kanë hyrë gjithsej 2.5 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej 16.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Ndërsa në raport me 6 mujorin e një viti më parë, rritja është 37.5%.

Vetëm në qershor, në vend kanë hyrë 876 mijë shtetas, me një rritje prej gati 40% në krahasim me muajin qershor të vitit 2019. Ndërsa në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë kanë hyrë 43% më shumë të huaj.

Shtetasin nga Kosova vijojnë të mbajnë peshën më të lartë si në totalin e të huajve që hyjnë në vend, ashtu dhe për ndikimin në rritjen e hyrjeve. Sipas INSTAT, në qershor, në vend kanë hyrë gati 400 mijë shtetas nga Kosove, ose 45% e totalit, gati dy herë më shumë se e njëjta periudhë e 2019-s. Turistët nga Kosova zunë 45% të totalit në qershor.

Ndërsa për 6 mujorin, hyrjet e shtetasve nga Kosova zinin 39% të totalit.

Për 6 mujorin e parë, vetëm hyrjet e shtetasve nga Greqia nuk e kanë tejkaluar nivelin e para pandemisë. Pas Kosovës, rritjen më të lartë në numër e kanë shënuar shtetasit nga Italia, me 24%. Nga Anglia, kishte 34% më shumë hyrje,  nga Spanja me 18%, nga Gjermania me 24%.

Ndërsa hyrjet e polakëve u rritën me vetëm 1% në janar-qershor (gjithnjë në raport me 2019-n), por fluksi i tyre ka filluar në qershor, me rritje të hyrjeve me 9.5%.