Të rinjtë nuk duhet të pinë kurrë alkool: në fakt, ata mund të kenë vetëm rreziqe për shëndetin e tyre dhe asnjë përfitim nga kjo substancë.

Për ata mbi 40 vjeç, nga ana tjetër, një gotë e vogël në ditë (për shembull verë e kuqe) mund të ofrojë disa përfitime të moderuara; në parandalimin e diabetit, sëmundjeve kardiovaskulare dhe goditjeve në tru, ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në vendet e industrializuara.

Këto janë rezultatet e studimit më të thelluar të kryer për të hetuar lidhjen mes alkoolit dhe rreziqeve shëndetësore, si dhe i pari që vlerësoi në mënyrë specifike faktorë të tillë si mosha, seksi dhe origjina gjeografike e konsumatorëve.

Drejtues i studimit ishte një ekip ndërkombëtar hulumtues nën kujdesin e GBD 2020 Alcohol Collaborators, i udhëhequr nga ekspertë nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit të Uashingtonit.

Shkencëtarët erdhën në përfundimet e tyre pasi krahasuan normat e konsumit të alkoolit dhe incidencën e sëmundjeve nga Studimi i Barrës Globale të Sëmundjeve, Lëndimeve dhe Faktorëve të Riskut (GBD) 2020 midis 1990 dhe 2020 në subjekte të moshës 15 deri në 95 vjeç. Në total, u përfshinë 204 vende dhe territore.

Së pari, studiuesit vlerësuan se 1.34 miliardë njerëz konsumuan sasi të dëmshme alkooli në vitin 2020. Kryesisht ata ishin meshkuj (1.03 miliardë kundrejt 0.312 miliardë femra). 59 për qind e tyre përbëheshin nga individë nga mosha 15 deri në 39 vjeç.

Dy vite më parë pati një rritje të ndjeshme të konsumit të pijeve alkoolike edhe për shkak të pandemisë dhe pasojave të saj, siç ishte karantina.

Duke krahasuar të dhënat e konsumit me ato për shkallën e sëmundjeve dhe lëndimeve, u bë e qartë se të rinjtë midis 15 dhe 39 vjeç nuk duhet të pinë kurrë, pasi alkooli në këtë grupmoshë paraqet vetëm rreziqe dhe nuk ofron asnjë përfitim.

Konkretisht, shkencëtarët llogaritën se “sasia e sigurt / e rekomanduar” do të ishte 0.136 pije standarde në ditë. Me pije standarde nënkuptojmë vetëm 10 gramë alkool të pastër, “ekuivalent me një gotë verë të kuqe 100 mililitra me 13 për qind alkool në vëllim, një kanaçe ose shishe birre (375 mililitra) me 3.5 për qind alkool në vëllim, ose një gotë uiski ose pije të tjera alkoolike (30 mililitra) me 40 për qind alkool në vëllim”, shkruajnë shkencëtarët në një deklaratë për shtyp.

Praktikisht, të rinjtë mund të pinë pak më shumë se 1 të dhjetën e gotës verë të kuqe ose një kanaçe birrë, për të mos rrezikuar shëndetin. Doza më të larta janë shoqëruar me një rrezik më të lartë të sëmundjeve, lëndimeve në aksidente trafiku, vetëvrasje dhe vrasje.

Ndryshon pak situata për moshën mbi 40. Në këtë grupmoshë, në fakt, sasia e moderuar e alkoolit mund të ofrojë përfitime shëndetësore, duke ulur rrezikun e disa sëmundjeve si sëmundjet ishemike të zemrës, diabeti dhe goditjet në tru.

Për të rriturit midis moshës 40 dhe 64 vjeç, ekspertët besojnë se është e sigurt nga gjysma e një pije standarde në gati dy (1,79 për meshkujt dhe 1,82 për femrat). Për ata mbi 65 vjeç, mund të konsumohen deri në tre pije standarde në ditë.

“Mesazhi ynë është i thjeshtë: të rinjtë nuk duhet të pinë, por të moshuarit mund të përfitojnë nga pirja e sasive të vogla”, tha Dr Gakidou.

“Ndonëse mund të mos jetë realiste të mendohet se të rinjtë të përmbahen nga pirja, ne besojmë se është e rëndësishme të komunikohen provat më të fundit në mënyrë që të gjithë të marrin vendime të informuara për shëndetin e tyre”, shtoi shkencëtari, i vetëdijshëm se të rinjtë nuk do të heqin dorë nga konsumimi i alkoolit.