Janë shumë vende në botë ku duhen përshkuar kilometra për të marrë ujë, por ka bërë shumë përshtypje dhe është bërë virale një video e publikuar nga agjencia ANI.

Në video shihet një grua në Indi që – si të tjerat e komunitetit të saj në fshatin e Ghusiya në shtetin e Madhya Pradesh – duhet të rrezikojë jetën çdo ditë për të zbritur në një pus guri me duar dhe këmbë të zbathura, për të marrë një vazo me ujë.

Më pas, një gjë normale për qindra milionë persona të tjerë në botë, duhet ta mbajë ujin mbi kokë për kilometra të tërë.

Situata hidrike është e rëndë në shumë zona të Indisë. Dhe janë të shumta videot në të cilat denoncohen situata të ngjashme.

Një raport global i 2019-ës e ka përfshirë Indinë mes 17 vendeve në të cilët “stresi për ujin” ishte “shumë i lartë”. Situatë shumë e vështirë në shtetet Madhya Pradesh, Punjab, Rajasthan, Uttar Pradesh, Gujarat, Uttarakhand dhe Haryana . Në Madhya Pradesh, miliona persona nuk kanë akoma ujë të pijshëm.