Nëse në të kaluarën mund të bliheshin nga të gjithë ose pothuajse, duke përfshirë edhe Ferrari Testarossa, çmimi i këtyre xhevahireve të së kaluarës ka pësuar një rritje të ndjeshme sot. Ja cilat janë:

Lancia Delta dhe Porsche 911 – Një Lancia Delta Integrale tani vlerësohet edhe mbi 200 mijë euro në ditët e sotme. Bashkë me Porsche 911 (seria 930 dhe 993) janë disa nga makinat që kanë parë t’u rritet vlera në mënyrë marramendëse. Por edhe makina të tjetra shumë normale po ndjekin këtë trend.

Alfa Romeo dhe BMW – Vetura si modelet e vjetra BMË Serie 3 E30 dhe Alfa 75 1.6 me karburator, në kohët e fundit kanë kaluar nga të qenit “makina të vjetra” që deri para pak kohe askush nuk i donte (me çmime rreth 10.000 euro) në copa metali të çmuara me rrota, investime të vërteta për ata që kanë hapësira dhe mekanikë për t’i mbajtur mirë.

Nuk është e lehtë të kuptohet ky trend, por një nga arsyet është e lidhur me internetin dhe aftësinë e tij për të risjellë në mendje kujtime të vjetra, duke rizgjuar tek ata që kanë qenë të rinj në vitet 80 dhe 90 dëshira që ndoshta nuk mund t’i plotësonin në atë kohë dhe që tani, me pak vite punë në kurriz, janë bërë më të mundura për t’u blerë.

Ferrari, Fiat, Honda dhe… – Sot duket e pabesueshme, por deri 5-7 vite më parë mund të futej në garazh një Subaru Impreza WRX, një Honda S2000, një Toyota Celica ose edhe një M3 e vjetër për pak më shumë se 10.000 euro.

Edhe një Ferrari Testarossa nuk ishte një ëndërr e ndaluar pak kohë më parë, me çmimet që shkonin rreth 45-50 mijë euro: sot duhet dyfishi i kësaj shumë.

Çmimi i kripur i Ferrari-t është i justifikuar nga fakti se bëhet fjalë për një objekt të rrallë, gjë që nuk është e vërtetë për makina të prodhimit në masë si Uno Turbo i.e., Golf GTI dhe, pikërisht, Lancia Delta.

Pse vlejnë kaq shumë? – Po pse ka ardhur kjo rritje e çmimeve dhe ky interes i madh për makinat e vjetra? Thonë se “personat bëhen nostalgjikë kur nuk janë të kënaqur me të tashmen”. Po, sepse sado të mira, teknologjike, efikase dhe shpesh shumë të shpejta, makinat moderne nuk kanë aftësinë që të emocionojnë.