Po bëhet gjithnjë e më dramatike situata në Teksas (Amerikë), i gjunjëzuar prej ditësh nga moti i keq që ka pushtuar këtë zonë. Një stuhi dëbore që ka prekur Amerikën, duke shkaktuar deri më tani 37 viktima, ka patur impakt të fortë në Teksas.

Miliona teksanë janë pa energji elektrike për shkak të të ftohtit rekord që ka krijuar “blackout” më të keq të historisë në dekadat e fundit. Dhe, si pasojë e kësaj situate, në supermarket po mbarojnë edhe uqshqimet e uji i pijshëm.

Sipas “Texas Tribune” dhe “NBC News”, situata me ushqimet është shumë e rëndë, pasi supermarketet janë thuajse bosh ndërsa njerëzit që qëndrojnë në radhë për ora të tëra mes të ftohtit. Shumë dyqane, përfshi edhe farmacitë, janë mbyllur për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Në mbi 264 mijë shtëpi prej disa ditësh nuk vjen uji i pijshëm, ndërkohë që 7 milionë teksanevë u është thënë që ta ziejnë ujin e rubinetit para se ta pijnë atë apo ta përdorin për gatim. Janë hapur mjaft qendra kujdesi që presin personat në nevojë dhe pa ushqim.