Dikush do të prishë Krishtlindjen për Mariah Carey. Portali amerikan TMZ ka bërë të ditur të premten se këngëtarja është hedhur në gjyq për të paktën 20 milionë dollarë për shkelje të drejtave të autorit nga Andy Stone për këngën e saj të famshme “All I want for Christmas”.

Autori i këngëve pretendon se ka qenë një nga shkrimtarët e këngës “All I Want For Christmas Is You”, para se Carey ta publikonte këngën e saj me të njëjtin titull.

Sipas padisë, Stone beson se kënga e tij ka frymëzuar atë të Carey dhe ai do një pjesë të të ardhurave. Ai e regjistroi këngën e tij në 1989 në Nashville.

Stone ka thënë se kënga është transmetuar në televizor dhe ka qenë në renditjet muzikore në 1993-shin  gjatë sezonit të Krishtlindjes. Carey e ka publikuar këngën e saj një vit më mbrapa.

Carey dhe Walter Afanasieff thuhet se e kanë shkruar dhe krijuar melodinë e këngës në 15 minuta. padia ka kërkuar që Carey dhe Afanasief ta ndalin shpërndarjen  e këngës.

Sipas Forbes, Mariah Carey fiton rreth 2.5 milionë dollarë në vit nga kënga dhe ka fituar mbi 72 milionë dollarë në total vetëm nga kjo këngë.

Kënga klasike e Krishtlindjes është kënduar nga këngëtarë të tjerë gjatë viteve dhe Carey ka publikuar versione të ndryshme dhe video muzikore.

Madje, në 2011-ën, ajo ka publikuar edhe një version me Justin Bieber dhe ka bërë një video muzikore që tani ka rreth 213.7 milionë shikime.