Humbja në shtëpi, më 6 janar kundër Spezia 1-2, çoi në reagime të ashpra te Napoli. Sidomos, menjëherë pas ndeshjes, në “barkun” e stadiumit “Diego Armando Maradona” pati tension. Gennaro Gattuso e ka kritikuar ashpër ekipin e tij në dhomën e zhveshjes. Siç raportohet nga “Corriere dello Sport”, trajneri nuk kishte qenë kurrë kaq i zemëruar, që nga ardhja e tij në stolin e Napolit. Të bërtitura dhe grushte në mur. Dhe një fjali, që nxjerr në pah mungesën e karakterit të ekipit: “Ju nuk i keni atributet e duhura për këtë klub, shkunduni”.

I gjithë grupi do të ndante ndjenjën e fajësisë pas disfatës, shumë e vështirë për t’u tretur, kundër një ekipi të sapopromovuar në Serie A, i cili mbërriti aty si “poligon qitjeje”, me 30 gola të pësuar. Ndoshta nuk qe mbrëmja e parë kaq e keqe e Napolit, por Gattuso nuk ishte zemëruar kurrë më parë kështu. Dje, me kokën më të ftohtë, në “Castel Volturno” kishte një tjetër përballje në dhomën e videove të qendrës së trajnimit, me tone më të ulëta. Sidoqoftë, substanca mbetet: nga ky Napoli, Gattuso pret më shumë.