Tërmet te Tirana, vetëm gjysmë ore para përballjes së sotme me kurbinasit, që ka startuar në orën 13:45 në “Selman Stermasi”. Presidenti Refik Halili ka kërkuar një takim kokë më kokë me trajnerin Nevil Dede, ku mësohet se është diskutuar diçka për formacionin. Dy drejtuesit kanë pasur mosmarrëveshje në këtë drejtim, por raporti ka qenë disi i acaruar edhe nga rezultatet e bardhebluve, jo në lartësinë e emrit dhe investimeve.

Dede ka vendosur të dorëhiqet, duke e braktisur skuadrën para një ndeshjeje tepër delikate, ndaj një kundërshtari të fortë si Laçi. Mbetet të zbardhet çfarë ka ndodhur realisht, të mësohet qëndrimi i të dyja palëve. Sidoqoftë, Dede konsiderohet i larguar tashmë nga Tirana, duke e lënë bosh stolin e kampionëve në fuqi. Ish-kapiteni bardheblu zuri vendin e Emanuel Egbo në këtë sezon, direkt pas eliminimit të Tiranës në Kupën e Shqipërisë karshi Korabit. Sot, skuadrën po e drejton drejtori sportiv, Tefik Osmani, në stol.