Shtatë persona janë goditur me thikë në qytetin e Vetlanda në Suedi, një akt që policia vendase e konsideron si një “sulm terrorist”. 3 nga personat e plagosur janë në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën.

Personi që kreu këtë akt të çmendur është një 20-vjeçar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Ai ka goditur me thikë disa persona në zona të ndryshme të qytetit. Ai u ndal nga policia, që e qëlloi në këmbë, duke e plagosur.

20-vjeçari ndodhet në spital nën mbikqyrjen e policisë, që ka nisur hetimet, pa dhënë asnjë informacion në lidhje me arsyet që e çuan të kryejë këtë akt. Alarmi nisi rreth orës 15:00 të ditës së mërkurë, pas disa sinjalizimeve që erdhën nga qytetarët e qytezës me 20 mijë banorë.

Personi kreu aktin e parë në një zonë të populluar, pranë një stacioni treni. Ai mbante një thikë, duke qëlluar 7 persona. Policia rrethoi zonën dhe lëvizja e trenave u ndal për disa orë.