Intriga vazhdon. Policia konfirmon historinë, Embolo është në siklet. Sulmuesi i Borussia Moenchengladbach, shok i ngushtë me Taulant Xhakën (që nga koha e përbashkët te FC Basel) pretendohet se ka marrë pjesë në një “party” në Essen, i ndjekur nga mbi 20 persona. Një aheng i tillë në kohën e koronavirusit nuk lejohet. DFB (Federata Gjermane e Futbollit) gjithashtu u kërkoi lojtarëve të japin shembullin e mirë te popullata.

Arsyeja pse javën e kaluar u ngrit një polemikë në Gjermani lidhej me disa lojtarë, që ftonin berberët në shtëpi për t’u qethur. Edhe kjo konsiderohet e ndaluar, pasi në Gjermani, deri në fund të muajit, floktarët duhet t’i mbajnë aktivitetet e tyre të mbyllura. Kjo e Embolo është më e rëndë. Gladbach e pezulloi atë për ndeshjen e fundit në Bundesliga. Ajo do të luajë përsëri nesër kundër Dortmund, por dëshiron të hedhë dritë mbi historinë e zviceranit.

I pranishëm në ahengun e paligjshëm, Embolo, sipas rindërtimit të ngjarjes nga “Bild”, ka ikur nga dritarja e lokalit me mbërritjen e policisë. Duke u ngjitur në çatinë e ndërtesës, ai më pas do të hynte në një apartament tjetër, duke zbritur nga një dritare tjetër. Sidoqoftë, policia e ka ndjekur dhe, duke thyer derën, do ta gjente të fshehur në një vaskë. “Ne supozojmë se i arratisuri dhe Embolo janë i njëjti person, – tha një zëdhënës i policisë së Essen. – Ai ishte vetëm në dhomë. Prandaj supozohet se njeriu që u arratis nga çatia është Embolo”.

Lojtari, ndërkohë, dje u përpoq, pa sukses, që përmes Thomas Kufen, kryetar i Essen, të kërkonte falje dhe të ofronte një donacion. Gladbach bëri të ditur se Embolo vazhdon të sigurojë se nuk ka marrë pjesë aktive në atë festë, por e gjeti veten atje rastësisht. Ai ishte njeriu i gabuar, në vendin e gabuar. Megjithatë, policia duket se mendon ndryshe. Dhe intriga vazhdon.