Tirana ka bërë përforcimin e parë të bujshëm në merkaton e dimrit. Bëhet fjalë për një huazim 5-mujor të lojtarit të kombëtares kuqezi, Taulan Sulejmanov (Taulant Seferi). Ja njoftimi i klubit bardheblu me këtë rast:

“Klubi i Futbollit Tirana njofton afrimin e parë të merkatos së janarit. KF Tirana njofton arritjen e marrëveshjes me klubin e madh europian, Young Boys, për huazimin e sulmuesit Taulant Seferi. Pas bisedimeve të orëve të vona mes dy presidencave u arrit bashkëpunimi për të patur në organikën e ekipit tonë 24-vjeçarin. Seferi është prej kohësh pjesë e klubit zviceran dhe gjithashtu lojtar i kombëtares shqiptare të futbollit, ku ka bërë paraqitje tejet dinjitoze. Klubi i uron suksese me fanellën bardheblu”.

Nga ana e tij, Seferi ka shkruar përmes rrjeteve sociale: “Do të jem në huazim për 5 muaj te KF Tirana. Do ta ndihmoj ekipin duke dhënë maksimumin tim me shpresën që në fund të sezonit të jemi kampionë të padiskutueshëm. Shpresoj se në klub ka frymëzim kampioni. Premtoj të jap më të mirën nga vetja për ekipin. Ky huazim do të më ndihmojë edhe mua që të kthehem më i fuqishëm aty ku e kam dhe vendin”.