Vetëm pak orë përpara takimit Partizani-Tirana, që do të luhet këtë pasdite në stadiumin “Elbasan Arena”, prej orës 18:00, klubi bardheblu ka zhvilluar një konferencë për shtyp. Të ulur para gazetarëve ishin lojtari me i ri i Tiranës, Tim Väyrynen, drejtori sportiv, Tefik Osmani, dhe menaxheri i skuadrës, Enton Spahiu. Tim foli për vendimin e tij për t’iu bashkuar kampionëve në fuqi të Shqipërisë. Pasi iu përgjigj të gjitha pyetjeve, Väyrynen mori fanellën me numrin 14, që do ta mbajë veshur për një vit e gjysmë.

Sulmuesi 1.91 metra i gjatë, pjesë e kombëtares finlandeze, u shpreh për këtë aventurë të re: “E njoh Tiranën, sepse e ndjek shumë futbollin. Kisha marrë informacione për të, e di se flitet për një klub të madh. Është mundësi shumë e mirë për mua. Situata duket e mirë, jam i lumtur që ndodhem këtu. Dua ta ndihmoj skuadrën për të fituar titullin kampion.

Është nder i madh për mua të jem te Tirana. Është e mrekullueshme të jem këtu, stadiumi, tifozët… Ka shumë gjëra të mira dhe thjesht shpresoj të mbarojë sa më shpejt situata me Covid-19, që tifozët të kthehen në stadium. Ata janë shumë të rëndësishëm për ne.

Kam ardhur këtu për të shënuar gola dhe për ta ndihmuar Tiranën të fitojë titullin. Është mundësi e mirë për ne. Sigurisht, deri tani nuk është bërë sezoni më i mirë, por jemi në lojë. Është normale, presioni është pjesë e futbollit, ka gjithnjë. Fjalë shqip? Ende nuk kam mësuar, por do të përpiqem të mësoj shqip.

Prezantim në ditën e derbit? Diçka fantastike! Unë nuk e dija këtë, faleminderit që më tregove. “Fanatics”, më të mirë se tifozët e Dynamo Dresden? Tifozët e Dynamo Dresden janë ndër më të mirët në botë. Është pyetje e vështirë, sepse kur luajta atje, fansat ishin më të mirët.

Unë kam qenë pjesë e Borussia Dortmund dhe e kam provuar mbështetjen e 80 mijë tifozëve, por nuk ka qenë asnjëherë më e mirë se ato të Dynamo Dresden, kështu që pres të shoh edhe tifozët e Tiranës”.