Organizatorët e Lojërave Olimpike “Tokio 2020”, kanë publikuar sot të dhënat në lidhje me personat e infektuar me Covid-19 gjatë kohës që u zhvillua Olimpiada. Kjo e dhënë zyrtare përfshin një periudhë më të gjerë se 16 ditët e lojërave (23 korrik-8 gusht).

Të dhënat reflektojnë periudhën 1 korrik (dita kur u hap Fshati Olimpik) deri më 16 gusht (një javë pas përfundimit të Olimpiadës). Në total, gjatë kësaj periudhe, janë infektuar me koronavirus 540 persona. Dita më e keqe e infektimeve ka qenë 5 gushti, me 31 të infektuar.

Sipas të dhënave të bëra publike, nga 540 të infektuar, vetëm 28 janë sportistë, ndërsa 144 të tjerë janë personel olimpik (trajnerë, drejtues etj). 32 të infektuar me koronavirus janë gazetarë, 15 janë të punësuar dhe 28 janë vullnetarë.

Pjesa më e madhe e të infektuarve, 293 vetë, janë persona të kontraktuar nga organizatorët e Olimpiadës. Një e dhënë interesante është ajo se nga 540 të infektuar, 36 raste kanë ndodhur brenda Fshatit Olimpik, ndërsa pjesa tjetër janë raste të konfirmuara në aeroport apo në hotele ku ishin akomoduar ekipet.