Tom Cruise është shfaqur në San Diego, Kaliforni, të mërkurën me një helikopter që e ka pilotuar vetë me rastin e premierës së filmit të tij të ri Top Gun: Maverick.

Cruise ka buzëqeshur teksa dilte nga helikopteri duke mbërthyer xhaketën e kostumit të tij Brioni, që kushton nga 6 mijë deri në 17 mijë dollarë.

Emri i aktorit legjendar dhe titulli i filmit kanë qenë të shkruar me shkronja të mëdha anash helikopterit. 35 vite pasi Top Gun origjinal ka debutuar këtë muaj në 1986-ën, Cruise ka rimarrë rolin e tij si Maverick në filmin e ri.

Top Gun: Maverick është xhiruar më shumë se dy vite më parë dhe ka qenë një nga shumë filmat me buxhet të madh të Hollywood-it që janë shtyrë për shkak të pandemisë coronavirus.

Për shkak të valës së parë të Covid-19, Maverick duhej të shfaqej fillimisht në kinema më 24 qershor të 2020-ës, por është shtyrë më pas për më 23 dhjetor të 2020-s. Shtyrjet e tjera kanë qenë më 2 korrik të 2021-shit dhe 19 nëntor të 2021-shit.