Disfata e tetë në Premier League, vendi i nëntë (me një ndeshje për t’u rikuperuar), nëntë pikë larg nga zona e Champions-it. Situata aktuale, në të cilën gjendet Tottenham, nuk është më rozë, por e rënduar nga disfata e fundit në fushën e West Ham.

Periudhë e keqe për “Spurs” e Mourinhos, i cili regjistroi performancën më të keqe në karrierën e tij, në 50 ndeshjet e para të kampionatit në krye të një klubi. Vetëm 81 pikë të marra, larg 126 pikëve të fituara në stolin e Chelsea, në përvojën e tij të parë me Blutë. José Mourinho ka fituar 81 pikë pas 50 ndeshjeve të Premier League, në krye të “Spurs”. Ky është totali i tij më i ulët në këtë fazë, në çdo post menaxherial.

124 pikë – Porto
126 pikë – Chelsea (eksperienca e parë)
113 pikë – Inter
123 pikë – Real Madrid
114 pikë – Chelsea (eksperienca e dytë)
95 pikë – Manchester United
81 pikë – Tottenham

Në fund të ndeshjes së humbur kundër “Hammers”, trajneri portugez nuk pranoi të flasë për krizën e ekipit të tij, duke mbrojtur metodat e punës dhe stafit drejtues: “Kurrë nuk kam dyshuar në filozofinë time të lojës. Në asgjë, zero. Ndonjëherë rezultatet janë pasojë e situatave të shumta në futboll. Metoda ime dhe e stafit tim nuk janë të panjohura në botë. Nëse kriza sjell zhgënjim dhe trishtim në dhomën e zhveshjes, atëherë do ta thoja, por nuk është kështu.

Kur një ekip lufton deri në sekondën e fundit, siç bëmë ne për të marrë një rezultat tjetër, atëherë nuk është në krizë. Një grup është në krizë kur jo të gjithë po vozisin në të njëjtën mënyrë për të arritur qëllimin. Kështu që unë nuk do të flisja për krizë, por, nëse ekziston ndonjë gjë reale, kemi një seri rezultatesh të këqija. Është e qartë, ne po humbasim shumë lojëra”.