Temperaturë, kollitje, ankth, sepse kur infektoheni me Covid-19, nuk e dini se si përfundon. Izolim dhe frikë. Dhe dhimbje shumë e fortë përbrenda vetes, sepse ai virus, i cili zvarritet dhe ju as nuk e vini re, sulmon mushkëritë dhe ju merr frymën. Ia mori frymën edhe babait të tij, Enzo. Kur Francesco Totti zbuloi se ishte infektuar në fillim të nëntorit, menjëherë kuptoi se frazat “është thjesht një grip i parëndësishëm” ishin të pakuptimta. Efektet e koronavirusit dhe pasojat që ai lë mbi ju janë një tjetër gjë. Kuptoni sa e rrezikshme dhe vdekjeprurëse mund të jetë…

Në Itali ka mbi 100.000 vdekje të vlerësuara në një vit pandemik. Edhe sot, situata është e vështirë, shumë delikate për shkak të gjendjes së urgjencës shëndetësore dhe ekonomike. Virusi origjinal dhe tani variantet e tij janë një makth, që do të mbarojë herët a vonë. Makthi i ish-kapitenit të Romës zgjati gati një muaj dhe nëse mendon për këtë, ai dridhet. Në sytë e tij mund të lexoni hutimin që ai kurrë nuk e kishte, edhe kur gjendej në disavantazh të 2 golave, apo godiste një penallti vendimtare. Me Covid-19 rrezikoi të mos ia dilte mbanë.

“U deshën 24 ditë që të shërohesha. E mora Covid-19 në një formë mjaft agresive, – thotë Totti në intervistën me “Corriere della Sera”. – Unë u diagnostikova me pneumoni bilaterale. Kisha ethe 40°, kolla vazhdonte. Ndihesha i lodhur dhe nuk kisha fare uri. Në një moment, ngopja me oksigjen ra në 89-90 për qind dhe unë duhej të shtrohesha në spital, por refuzova. Kisha frikë nga ajo që i kishte ndodhur babait tim dy muaj më parë. Me ilaçet që mora arrita të dilja prej rrezikut, por ishte vërtet e vështirë”.

I shtrirë në shtratin e tij, duke u ndjerë si një “vemje”. Totti nuk ishte ndjerë i tillë as kur kundërshtarët e markuan ashpër dhe u përpoqën ta “nokautonin”. Ai dinte të zhbllokohej karshi çdo mbrojtjeje, të vraponte dhe të shënonte, duke iu përgjigjur me aftësinë e tij teknike “vëmendjes” që mori. Ndonjëherë ai e humbte kontrollin (si kur pështyu Poulsen ose kur shqelmoi Balotellin), por i revizionoi këto qëndrime duke kërkuar falje. Me Covid-19, megjithatë, ai përjetoi ankthin dhe vetëdijen se nuk ishte në gjendje të bënte asgjë tjetër, përveçse të ishte i durueshëm dhe të shpresonte se gjithçka do të kalonte sa më shpejt të ishte e mundur.

“U përpoqa të qëndroja në shtëpi sa më shumë që të ishte e mundur dhe ta trajtoja veten me kortizon, antibiotikë, heparinë, – shtoi Totti. – Isha në shtrat vetëm, në mëshirën e kohës. Unë nuk reagova… Ishte një makth, që zgjati gati një muaj. Dhe kur pashë që pas rreth dhjetë ditësh ilaçet dhe injeksionet nuk po më shqiteshin, me të vërtetë u frikësova”.

Koronavirusi ka prekur të gjithë familjen e tij, megjithëse në një mënyrë tjetër dhe në një formë më të butë. Në historinë e Tottit ka edhe këtë detaj. Si e ka marrë virusin nuk mund ta shpjegojë, por distancimi social dhe masat paraprake mbeten mënyra e vetme më e mirë për t’u përpjekur ta mbroni veten:

“Djemtë u frikësuan, të gjithë rezultuam pozitivë, po për fat të mirë të tjerët në familje ishin asimptomatikë. Ilary, dadot, kopshtari, të gjithë me Covid-19. Të gjithë rreth meje e morën virusin. Nuk e di si u infektova… Ndoshta teksa bëja foto me tifozët, duke dhënë autografe, duke ndenjur me miqtë… Nuk e di kush mund të jem prekur nga virusi i rrezikshëm”.