Ajo që dihet për ndarjen e Gerard Piqué dhe Shakira, me paraqitjen e Clara Chia Marti si “flakë” e re e futbollistit, duket se është vetëm maja e ajsbergut. Një ndarjeje që daton disa muaj më parë dhe që e vendos në një pozitë shumë të keqe futbollistin katalanas, i përfolur për një seri tradhtish ndaj këngëtares kolumbiane.

Këtë të hënë, gazetari dhe paparaci spanjoll, Jordi Martin, i cili është i afërt me çiftin që po ndahet pas 12 vitesh bashkë, paralajmëroi në llogarinë e tij në Twitter se në orët në vijim do të ofrojë lajme për arsyet e thella të ndarjes:

“Këtë javë do të dalin disa gjëra që nuk e nderojnë Gerard. Unë do të publikoj dy tradhti të mbrojtësit të Barcelonës. Një nga viti 2016 dhe ajo me Clara Chía Martí, e cila është e tmerrshme se si e mashtroi Shakirën. Është e neveritshme mënyra se si tradhtoi dhe falsifikimi i fakteve”.

Pasi u zyrtarizua ndarja mes Shakirës dhe Piqué, Martin mori anën e këngëtares, duke postuar një mesazh mbështetjeje: “Për të gjithë fansat e Shakirës, ​​unë kam qëndruar gjithmonë me të. Këtë ia kam bërë të ditur ekipit të saj dhe familjarëve më të afërt. Dje i kam bërë të ditur se të gjitha provat që kam, që mund ta ndihmojnë atë, do t’ia dërgoj asaj”.

Deklaratat e Martin mbështesin teorinë se marrëdhënia midis Clara Chia dhe Pique filloi shumë kohë përpara se çifti të njoftonte ndarjen e tyre. Fillimisht u publikuan pamjet e një takimi klandestin mes lojtarit dhe të dashurës së tij të re, që daton në shkurt. Por kjo nuk është e gjitha.

Programi televiziv “Socialité” zbuloi truket e Piqué për të mbajtur takime të fshehura, veçanërisht në një bar të quajtur “La Traviesa”, i shoqëruar nga ish-shoku i tij i skuadrës, Riqui Puig. Ai do të mbërrinte me taksi, kurrë me makinën e vet. Pique hynte nga një derë anësore, e vendosur në një rrugë me pak trafik.

Paparaci spanjoll shtoi: “Shakira më kërkoi vetëm që të mos i bëja pyetje para fëmijëve dhe padyshim që as që më kishte shkuar në mendje kjo. Nuk ishte e lehtë për mua t’i bëja këto foto, ku Shakira duket e dërrmuar”.

Këto akuza ndaj futbollistit ndodhin në mes të një mosmarrëveshjeje mes çiftit. Kur u duk se kujdestaria e fëmijëve u dakordësua, Pique vendosi kushte të reja për t’i autorizuar ata të jetonin në Miami me nënën e tyre, në këmbim të një paketë me bileta avioni të klasit të parë për t’i vizituar dhe një shume fikse parash (rreth 400.000 dollarë), për të mbuluar një borxh.