Ministria e Mbrojtjes së Tunizisë ka bërë me dije se dy mjete lundruese që udhëtonin nga ky shtet në drejtim të Europës janë mbytur në zonën e ishujve Kerkennah.

Si pasojë e këtij incidenti, rojet bregdetare kanë mundur të nxjerrin në breg trupat e 39 personave, ndërkohë që janë shpëtuar 165 të tjerë, me kombësi të ndryshme. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë ende.

Varkat ishin nisur nga brigjet afrikane natën e së hënës me destinacion Europën, por nuk mundën të mbërrijnë. Sipas rojeve bregdetare afrikane, mes viktimave kishte mjaft fëmijë.

Mbytja e barkave ka ndodhur si pasojë e kushteve të tyre të këqija, pasi ishin jashtë përdorimit dhe numrit të madh të personave që mbanin, duke tejkaluar çdo kapacitet.