Më shumë se njëqind ditë pas fillimit të pushtimit, inteligjenca perëndimore dhe zyrtarët ushtarakë besojnë se konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës ka arritur një fazë kritike që mund të përcaktojë rezultatin afatgjatë të luftës dhe madje mund të imponojë vendime të vështira për qeveritë perëndimore, të cilat deri më tani i kanë ofruar mbështetje Kievit me një kosto në rritje të vazhdueshme për ekonomitë e tyre dhe rezervat kombëtare të armëve.

Këtë e ka konfirmuar edhe një zyrtar i lartë i NATO-s, i cituar nga CNN. “Unë mendoj se ne jemi gati të arrijmë në pikën ku njëra palë ose tjetra do të jetë e suksesshme. Ose rusët do të arrijnë Slovyansk dhe Kramatorsk dhe do të fitojnë ose ukrainasit do t’i ndalojnë këtu.”

Në këtë pikë të konfliktit, zyrtarët perëndimorë po shohin nga afër tre skenarë të mundshëm që ata besojnë se mund të realizohen: Rusia mund të vazhdojë të fitojë terren në rajonin lindor të Donbasit, ose linjat e betejës mund të shtrëngohen duke krijuar ngërç që do të vazhdojë për muaj, nëse jo vite, duke shkaktuar humbje të mëdha nga të dyja palët dhe një krizë të ngadaltë që do të vazhdojë të prekë ekonominë globale.

Së fundi, është ai që zyrtarët e konsiderojnë skenarin më pak të mundshëm: Moska mund të ripërcaktojë objektivat e saj të luftës, të shpallë se ka fituar dhe të përpiqet të mbyllë luftimet.

Megjithatë, nëse ndodh e para, zyrtarët amerikanë kanë frikë se presidenti rus Vladimir Putin mund të jetë në gjendje ta përdorë atë territor si bazë për të avancuar më tej në Ukrainë.

Për t’u mbrojtur, Kievit i duhen armë, është paralajmërimi i Inteligjencës, “dhe duhet të mbërrijnë sa më shpejt”.

Një zyrtar i lartë në administratën e Bidenit shpjegoi se është e vërtetë që Moska aktualisht ka një avantazh në frontin lindor, veçanërisht në zonën midis qyteteve binjake Severdonetsk dhe Lysychansk, ku luftimet janë aktualisht të përqendruara, por suksesi i saj nuk është aspak i sigurt.