“Miss Albania” e vitit 2018, Trejsi Sejdini, është zhvendosur prej kohësh në New York, ku po ndërton jetën dhe karrierën e saj. Së fundmi, modelja ka dhënë një intervistë për “Më Lër të Flas”, pas shumë kohësh distancë nga mediat. Teksa sqaroi arsyen pse nuk ka dhënë intervista, Trejsi nuk la pa përmendur gafat e saj që janë bërë virale në rrjetet sociale.

“Këtë periudhë jam shumë e fokusuar që të mbaj energjinë time të paprekur nga gjërat rreth e qark meje që më pengojnë për të më ulur moralin, vullnetin. Nuk kam qenë vetëm larg televizionit, kam qenë edhe larg njerëzve. Intervistat që mund të kem bërë më përpara jam bërë shumë pishman që i kam bërë.

Çdo personazh që ka dhënë intervistë në moshë të vogël ka lënë disa gafa. Unë kam një gjë shumë të mirë, e shoh gafën time dhe e bëj ‘meme’ vetë në TikTok”- u shpreh Trejsi.

Sa i përket karrierës së saj, Trejsi zbuloi se po realizon ëndrrën amerikane. “Momentalisht po realizoj ëndrrën time amerikane. Sapo kam firmosur një kontratë me një agjenci atje,i  jam shumë falenderuese Fadil Berishës. Në Shqipëri nuk ka shumë mundësi për t’u angazhuar. Tani sapo kam firmosur”- zbuloi Trejsi.