Kina ka regjistruar viktimën e parë me Covid-19 pas 8 muajsh. Lajmin e konfirmoi Komisioni Shëndetësor Kombëtar, në përditësimin e rasteve me Covid-19.

Ky komision saktësoi se viktima jetonte në provincën e Hebei, që aktualisht është vatra më e nxehtë e pandemisë në Kinë. Në rritje janë edhe rastet e reja me koronavirus, 124 të tillë në 24 orët e fundit.

Nga këto raste, 14 janë të importuara nga jashtë. Shumica e personave të infektuar janë pikërisht në Hebei, që pasohet nga provinca e Heilongjiang. Kjo provincë nga dita e mërkurë ka hyrë në gjendje të jashtëzakonshme.

Ndërkohë, OBSH bën me dije se kanë mundur të mbërrijnë në Wuhan 10 ekspertët e saj, që do të punojnë dhe hetojnë për të zbuluar origjinën e këtij virusi vdekjeprurës.