Mauro Icardi publikoi një foto me maskë oksigjeni, duke ngritur pa fund hipoteza se çfarë ka ndodhur me të, në këtë kohë pandemie vrastare për krejt globin. Argjentinasi është një nga ata futbollistë, që shpesh përdor rrjetet sociale për të treguar aspekte të ndryshme të jetës së tij. Në orët e fundit, një nga postimet krijoi shqetësim të thellë në mes të fansave të tij, megjithëse misteri për gjendjen e tij shëndetësore u sqarua shpejt.

Këtë të premte, ish-kapiteni i Interit publikoi një foto, në të cilën ai mund të shihet i shtrirë, me sforcime të dukshme në fytyrë dhe duke mbajtur maskë oksigjeni. Disa minuta më vonë, pas pyetjeve këmbëngulëse të ndjekësve të tij, nëse ishte me të vërtetë mirë, ai hodhi dritë mbi atë që ndodhi dhe shpjegoi se imazhi u mor brenda një dhome hiperbarike që ka në shtëpin.

“Për të gjithë ata që më pyetën, është një dhomë hiperbarike, që unë kam në shtëpi, dhe përdoret për të parandaluar dëmtimet e për të ndihmuar në rikuperimin më të shpejtë nga ndeshjet, seancat stërvitore, etj. Në të, oksigjeni i pastër merret me presion tri herë më të lartë sesa presioni atmosferik”, – shkroi Icardi. Pastaj, ai shpjegoi pse nuk do të jetë i pranishëm në ndeshjen tjetër të PSG, të shtunën ndaj Dijon, për llogari të javës së 27-të të Ligue 1: “Nesër nuk do të jem në lojë për shkak të një gastroenteriti familjar”.

Fotoja e Icardi kujtoi foton, që bashkëlojtari i tij ngarkoi disa kohë më parë. Neymar u paraqit në një situatë të ngjashme. Në gusht të vitit 2020, pas një vargu ndeshjesh të lodhshme, braziliani kishte ndarë një foto nga brenda kësaj pajisjeje, gjithashtu me aparatin e frymëmarrjes në gojë. “Kujdesu për veten tënde”, – ishte mesazhi që shoqëronte foton, e cila në radhë të parë gjeneroi bujë, sepse nuk dihej se çfarë i kishte ndodhur yllit brazilian. Më vonë u bë e njohur se ishte vetëm një trajtim rutinë i rimëkëmbjes fizike.