Chelsea ka rilindur plotësisht pas zgjedhjes për t’ia besuar stolin e tij Thomas Tuchel. Pas pesë ndeshjeve të Premier League në detyrë, si trajner i “Blues”, është e drejtë të fillosh t’i japësh meritat e duhura trajnerit gjerman, i cili ka zënë vendin e një Lampardi zhgënjyes.

Me suksesin 2-0 kundër Newcastle, Chelsea ka 4 fitore radhazi në Premier League dhe pesë rezultate radhazi pozitive me Tuchel. Në fakt, në pesë ndeshjet që ai ka drejtuar, blutë kanë marrë 13 pikë nga 15 gjithsej në dispozicion.

Nuk kishte ndodhur që nga nëntori 2019 që Chelsea të fitonte katër ndeshje radhazi. Dhe në përgjithësi, duke marrë parasysh pesë ndeshjet e para si trajner i ri i “Blues”, vetëm Ancelotti dhe Sarri kanë qenë në gjendje të bëjnë më mirë se Tuchel në histori, me 15 pikë të fituara në 5 ndeshjet e para.

Tani skuadra londineze është zhvendosur në vendin e katërt të Premier League, duke u çiftuar me surprizën West Ham. Mbi Chelsea, vetëm Leicester, Manchester United dhe Manchester City, që tani duket se janë në arrati.

Por, nuk është vetëm çështja e pikëve dhe renditjes. Tuchel, gjithashtu ringjalli disa lojtarë, që ishin “zhdukur” me Lampard. Duke filluar nga Marcos Alonso deri te Timo Werner, që dje shënoi gol kundër Newcastle, pas “agjërimit” që zgjati në Premier League nga 7 nëntori i kaluar.

Rritja e tij ishte parë tashmë në dy ndeshjet e fundit, me tri asiste për shokët e skuadrës. Pastaj është Kepa, i cili dje e nxori nga porta krejt papritur Mendin. Spanjolli, më i kritikuari te Chelsea në dy vitet e fundit, tregoi performancë të madhe, duke e mbajtur të pastër kuadratin e vet.

Me pak fjalë, gjithçka shkon mirë te Chelsea dhe klubi nuk mund të ketë qenë më i lumtur se kaq në prag të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, ku blutë do të përballen me Atletico Madrid. Tashmë, falë Tuchel, përballja do të jetë e hapur për çdo lloj parashikimi.