Turqia ka ndryshuar emrin e vendit dhe do të njihet si Türkiye në Kombet e Bashkuara, që ka pranuar kërkesën zyrtare të bërë nga Ankaraja.

Arsyeja e këtij ndryshimi është kuptimi “i papëlqyeshëm” që ka emri i vendit në anglisht dhe veçanërisht në Amerikën e Veriut, ku Turkey do të thotë edhe “gjel deti”.

Ministri i Jashtë i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, i ka shkruar Kombeve të Bashkuara duke i bërë një kërkesë formale për ndryshimin e emrit.

Ai ka thënë: “Bashkë me Drejtorinë e Komunikimeve, në kemi përgatitur një bazë të mirë për këtë kërkesë. Ne kemi bërë të mundur për Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare që ta bëjnë këtë ndryshim dhe të përdorin Türkiye”.

Në përgjigje, Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se e kanë bërë ndryshimin në momentin e parë që ka marrë kërkesën këtë javë.

Vendimi për ndryshimin e emrit është marrë vitin e kaluar, me presidentin Rexhep Taip Erdogan, që ka thënë në dhjetor:

“Türkiye është i pranueshëm si një markë e denjë për vendin tonë në skenën ndërkombëtare. Türkiye është përfaqësimi më i mirë i kulturës, civilizimit dhe vlerave të popullit turk”.

Televizioni shtetëror TRT Ëorld e ka shpjeguar këtë vendim në një artikull të publikuar në fillimin e këtij viti, në të cilin thuhej se kur kërkon fjalën ‘Turkey” në Google dalin rezultate që tregojnë imazhe të gjelit të detit, i famshëm sepse shërbehet për Krishtlindje ose Ditën e Falënderimeve në SHBA.

Artikulli ka shpjeguar më tej: “Nëse e kërkoni fjalën ‘turkey’ në Fjalorin e Kambrixhit, shikoni se përkufizohet si ‘diçka që dështon’ ose ‘një njeri idiot'”.

Pjesa më e madhe e familjeve turke janë të mësuara me emrin Türkiye, por edhe versioni i fjalës në anglisht është shumë i përdorur.