Klipi promovues i “Big Brother Vip 2” u publikua dhe u fshi shumë shpejt ditën e djeshme. Shkak për këtë fshirje, u bë këngëtarja e njohur Fifi (Filloreta Raçi), e cila nuk e priti fare mirë faktin që pjesë e tij ishte edhe momenti kur asaj i ra të fikët në mes të shtëpisë mbrëmjen që vendosi të dilte nga shtëpia.

Gjatë pasdites së djeshme rrjeti gëloi nga ky lajm, i cili u pasua edhe me një reagim shpërthyes të këngëtares. Ndonëse producentët e “Big Brother Vip” e korrigjuan shpejt gabimin, shenja e tij mbeti. Në lidhje me këtë ngjarje së fundmi ka reaguar edhe Einxhel Shkira, e cila ishte një nga ish-banoret e këtij spektakli.

Ndonëse nuk janë shquar për ndonjë marrëdhënie të mirë me njëra-tjetrën, Einxhel mbajti anën e Fifit gjatë fjalës së saj dje në një “live” në Instagram. “Ajo ishte e lënduar në lidhje me spotin e fillimit të “Big Brother 2” dhe të jem e sinqertë edhe unë në momentin që e pashë e konstatova si të panevojshëme pjesën ku transmetohet ajo që i ka ndodhur Fifit.

Nuk mendoj se është e nevojshme të rishihet dhe të rivendoset, ose më saktë nuk është e nevojshme të vihet në promon e një spektakli. Sepse secili nga ne ka pasur momente shumë të bukura aty brenda dhe një kontribut të caktuar në atë spektakël. Ka një kontribut të caktuar në komplet suksesin e asaj që ka ndodhur.

Dhe ashtu sikur të tjerët , Fifi meriton respektin maksimal nga të gjithë njerëzit për kontributin e saj pozitiv aty brenda dhe për artin e saj. Siç edhe vetë ajo ishte shprehur ka bërë muzikë shumë të mirë. Unë e di që Fifi është një person me zemër shumë të madhe edhe kurrsesi nuk do të mundej t’i bënte keq dikujt”, u shpreh Einxhel…