Google ngre “flamurin e bardhë” në Rusi. Filiali i firmës amerikane në Rusi ka në plan të shpallë falimentimin, pasi autoritetet ruse sekuestruan llogarinë e saj bankare, duke e bërë të pamundur pagesën për punonjësit dhe furnitorët.

Njoftimi erdhi përmes një zëdhënësi të kompanisë: “Konfiskimi i llogarisë sonë bankare nga autoritetet ruse e bën të paqëndrueshme vazhdimin e drejtimit të zyrës sonë, punësimin dhe vazhdimin e pagesës së punonjësve tanë, furnitorëve dhe shitësve tanë, respektimin e detyrimeve tona financiare”.

Sipas raportimeve nga “Reuters”, një televizion shtetëror kishte thënë muajin e kaluar se autoritetet kishin sekuestruar 1 miliardë rubla, ekuivalente me 15 milionë dollarë nga Google, por kompania nuk specifikoi se sa ishte shuma e saktë në fjalë.

Në çdo rast, kjo është kompania e parë teknologjike që ka komunikuar se i është nënshtruar një mase të këtij lloji në llogaritë e saj në Rusi. Në dhjetor, filiali u gjobit gjithashtu me 134.3 miliardë rubla për mos heqjen e përmbajtjeve nga YouTube, të konsideruara “të paligjshme” nga autoritetet ruse.

Dega ruse kishte pezulluar tashmë shumicën e operacioneve të saj tregtare në vend, duke përfshirë të gjitha reklamat, pasi autoritetet ruse akuzuan Google dhe YouTube për përhapjen e dezinformatave dhe nxitjen e protestave. Google e ka bërë të qartë se, pavarësisht vendimit për të paraqitur falimentimin, shërbimet falas si kërkimi, YouTube, Gmail, Maps, Android dhe Play do të vazhdojnë të funksionojnë.