Fiks 5 vite më parë u nda nga jeta gazetarja e njohur shqiptare dhe ish-banorja e njohur e edicionit të dytë të reality show-t të njohur “Big Brother Albania, Adelajda Xhamani. Ajo vdiq në moshën 31-vjeçare nga jeta, shumë e re, duke lënë një dhimbje të madhe te familjarët e saj, miqtë e kolegët, por edhe opinioni publik që e donte shumë.

Miqtë e saj e kujtojnë gazetaren herë pas here përmes postimeve në rrjete sociale, duke postuar momente të kaluara me Adelajdën e duke na freskuar memorien sikur ajo të ishte ende në jetë. Një prej mikeshave të saj më të mira ishte edhe folësja e njohur e lajmeve dhe gazetarja Iva Kalemi, e cila sigurisht që e ka kujtuar edhe në këtë ditë përvjetori vdekjeje.

Kalemi ka bërë një postim shumë emocionues në rrjete sociale, ku shkruan se koha është thjesht nocion pasi Adela ka mbetur e gdhendur te shpirti i saj. “Është e cuditshme kur kupton se koha nuk është veçse një nocion e shtrenja ime.Ti ke mbetur aty e gdhendur pranë shpirtit tim me gjithë dashurinë tënde e dëshirën për të me treguar që s’do jem kurrë vetëm, megjithëse ke 5 vite larg.

Është e çuditshme se si hesht, por më tregon çdo ditë se sa vlere ke në jetën time. Është e çuditshme se kur njerezit flasin për ty me keqardhje ndërsa une ndjej se ti ke ikur për ta, por për të qëndruar gjithmonë pranë meje. Se dashuria është përjetësi Adela ime dhe një dashuri të tillë mund ta kesh vetëm ti”, shkruan spikeria.