Ish-kryeministri japonez Shinzo Abe po lufton për jetën sot, në spital pasi u qëllua në shpinë dhe qafë teksa mbante një fjalim fushate në jug të vendit. Abe, 67 vjeç, i cili është kryeministri më jetëgjatë i Japonisë, që e ka mbajtur detyrën nga 2006 deri më 2007 dhe përsëri nga 2012 deri më 2020, u qëllua rreth orës 11:30 të mëngjesit, me orën lokale në qytetin e Nara, afër Osaka, ndërsa po fliste jashtë stacionit të trenit.

Në një përditësim të situatës nga kryeqyteti Tokio, kryeministri aktual Fumio Kishida tha se Abe është në ‘gjendje të rëndë’ në spital dhe ai ‘po lutet’ që ta kalojë këtë moment kritik. Nobuo Kishi, vëllai më i vogël i Abe dhe ish-ministri i mbrojtjes tha se politikanit po i bëhet transfuzion gjaku në një përpjekje për ta shpëtuar jetën e tij.

Autori i dyshuar Tetsuya Yamagami, 41 vjeç, një ish-ushtarak, u kap nga sigurimi dhe u arrestua në vendngjarje me dyshimin për tentativë vra*sjeje. Policia i konfiskoi gjithashtu atë që dukej të ishte një a*më gjahu e bërë vetë.

Dëshmitarët thanë se Yamagami i ishte afruar Abe nga pas, i cili ishte i rrethuar nga një kordon sigurie, para se të qëllonte dy herë. Politikani i lartë po mbante një fjalim përpara zgjedhjeve parlamentare të së dielës. Ai u rrëzua pas goditjes së dytë, këmisha e tij u skuq…

Kishida i quajti të shtënat një sulm ndaj ‘themelit të demokracisë’, duke e përshkruar incidentin si ‘të urryer, barbar, dashakeq dhe ‘absolutisht të pafalshëm’. “Do të doja të përdorja fjalët më ekstreme në dispozicion për ta dënuar këtë akt”, – shtoi ai.

Të shtënat janë një zhvillim thellësisht shqetësues për një vend me nivele të ulëta të kri*it dhe ligje jashtëzakonisht të ashpra për ar*ët. Kishida tha se motivimi i kësaj ngjarjeje të dhimbshme nuk dihet, por fakti që u krye aq afër zgjedhjeve të ardhshme dhe gjatë një fjalimi të fushatës ‘nuk mund të injorohet’.

I dyshuari si autor, i arrestuar në vendngjarje, është një ish-ushtar i forcave japoneze të vetëmbrojtjes. Disa zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes konfirmuan se Yamagami kishte punuar për Forcën e Vetëmbrojtjes Detare për tri vite, deri më 2005.

U raportua se Abe kishte ekipin e tij të sigurisë rreth vetes gjatë fjalimit, të premten, por autori ishte në gjendje të bënte gjëmën nga fare afër. Një fotografi e tregoi Abe të shtrirë, me fytyrë lart në rrugë, me këmishën e tij të bardhë të “skuqur”. Njerëzit ishin të shumtë rreth tij, njëri i bënte masazh në zemër.

Televizioni TBS raportoi se Abe ishte qëlluar në anën e majtë të gjoksit dhe me sa duket edhe në qafë.