Moderatorja e njohur shqiptare, Xhemi Shehu, u rikthye mbrëmjen e djeshme në ekranin e “Portokalli”, pas dy vitesh mungesë.

Xhemi ka folur për rikthimin e saj në ekran, konkretish në emisionin e humorit, rikthimin në të cilin e konsideron si “histori dashurie.”

“Rikthimi im në “Portokalli” është si taman një histori dashurie nga këto që zihesh, ndahesh dhe bashkohesh prapë se të merr malli se nuk shkëputesh dot. Është e pabesueshme, unë nuk e dija që do rikthehesha. Nuk e mendoja këtë rikthimin.

Madje kisha menduar se isha shkëputur përfundimisht nga ekrani. U futa pak në shina me “Qesh mirë kush qesh i fundit” por ai ishte një format i shkurtër. Mendoj se nuk më janë ndezur mirë motorët se pas dy vitesh shkëputje duhet pak punë.

Por, ndjesia ime është sikur nuk jam shkëputur asnjëherë duke qenë se edhe me kolegët kam pasur kontakte. Në fakt Salsano u bë shkak i rikthimit. Ai realizoi një takim mes meje dhe drejtuesve dhe ramë dakord për një rikthim.

Ishte një periudhë që u lodha. ‘Portokallia’ ka qenë shumë angazhues dhe merrte shumë nga koha ime. Ka qenë periudha kur duhet të fokusohesha te familja ime dhe te disa punë private. Realisht duhet të shkëputesha. Por më vonë kuptova se vendi im është në ekran”, u shpreh Xhemi në “Wake Up”.