Më date 20 gusht, Luiza Gega i bëri të gjithë shqiptaret krenarë, pasi u shpall kampione Evrope në 3000 metra me pengesa. E ftuar në emisionin “Log” në Abc, kampionia ka treguar se si po e përjeton suksesin.

Nga ana tjetër, trajneri i saj Taulant Stërmasi, ka rrëfyer se Luiza ka fituar një garë teper të vështirë.

Gega: Në Shqipëri nuk mbaj mend të kem dhënë autografe. Ata në Berlin më prisnin para hotelit. Ajo që më bën përshtypje është se ata kishin fotot e mia. Është një emocion shumë i madh kur vlerësohesh edhe nga njerëz që nuk janë shqiptarë.

Moralisht ndihem shumë më e vlerësuar kur dal jashtë, kur shkoj në aktivitete. Ata ndoshta kanë një kulturë më të madhe për sportin dhe kanë një vlerësim më të madh për sportistët. Jam shumë e lumtur jo vetëm që dola kampione Evrope por sepse njerëzit janë ndjerë shumë krenarë për mua.

Stërmasi: Nga fillimi në fund e dominojmë garën. Dy xhirot e fundit ishin vendimtaret sepse kushdo kundërshtar do të luftonte në atë fazë. Asnjë sportist tjetër nuk ka vrapuar më shpejt se Gega në këtë kampionat. Nuk është kaq e shpeshtë të thyhet rekordi. Mënyra si u zhvillua gara, lagështia ishte 95%, nuk ka më lart se kaq dhe kjo e bënte të vështirë garën të arrinte rezultat të larte”.