Multimiliarderi Elon Musk ka hedhur poshtë të gjitha lajmet që e lidhnin emrin e tij me ndërtimin e një aeroporti privat në Austin, Teksas.

Disa ditë më parë, media të njohura botërore raportuan se themeluesi i SpaxeX po planifikonte të ndërtonte një aeroport për vete dhe drejtuesit kryesorë të kompanive të tij.

Por ka qenë vetë Musk ai i cili ka mohuar këto lajme të rreme, përmes një tweet-i në profilin e tij zyrtar në Twitter.

Ai ka bërë një tweet në një prej këtyre lajmeve ku shkruan se nuk është e vërtetë që ai do të ndërtojë një aeroport, pasi Tesla është vetëm pak minuta larg aeroportit.

“Jo e vërtetë! Tesla është vetëm 5 minuta larg aeroportit ndërkombëtar të Austin. Do të ishte idiotësi të ndërtonim një aeroport tjetër privat, edhe pse aeroporti aktual ka nevojë për një tjetër pistë, duke pasur parasysh që Austin po rritet shpejt!” – shkruan shefi i Teslës dhe SpaceX në Twitter.