UFC është drejt finalizimit të duelit për titullin kampion bote në peshën e rëndë mes kampionit në fuqi Stipe Miocic dhe sfidantit Francis Ngannou. Kjo përballje pritet të zhvillohet në prill, në eventin UFC-260.

Për Ngannou ky do të jetë një revansh, pasi e ka humbur duelin e parë ndaj Miocic, zhvilluar tri vite më parë (Miocic fitoi në UFC-220 me vendim unanim të gjyqtarëve). Presidenti i arteve marciale mikse Dana White pritet të finalizojë gjatë ditëve në vijim marrëveshjen, gjatë kohës që do të jetë në Abu Dhabi për eventin UFC-257.

Miocic, 20 fitore e 3 humbje në kafaz, ka mbrojtur për herë të fundit titullin verën e kaluar, kur mposhti Daniel Cormier, në triologjinë mes tyre. Ndërsa Ngannou ka dueluar për herë të fundit në maj 2020, kur fitoi ndaj Jairzinho Rozenstruik.