Numri i aksidenteve në dy muajt e parë të këtij viti ka qenë më i ulët, por kjo nuk e ka ndihmuar minimizimin e pasojave. Përkundrazi jetët e humbura në këtë periudhë rezultojnë më të larta. INSTAT raportoi se në muajin Shkurt 2021 numërohen 79 aksidente rrugore nga 106 aksidente të ndodhura në muajin Shkurt 2020, duke u ulur me 25,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa në dymujorin e parë të vitit 2021, numërohen 204 aksidente rrugore nga 199 aksidente të ndodhura në dymujorin e parë të vitit 2020, duke u rritur me 2,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Në muajin Shkurt 2021, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 103 persona nga 144 që ishte një vit më parë, duke u ulur me 28,5 %. Në dymujorin e parë të vitit 2021, numri i të aksidentuarve, është 268 persona nga 266 persona, duke u rritur me 0,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Në muajin Shkurt 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 18 persona nga 12 persona të vdekur në Shkurt 2020. Në dymujorin e parë të vitit 2021, numri i të vdekurve është 40 persona nga 29 persona të vdekur në të njëjtën periudhë të vitit 2020” thuhet në njoftimin e INSTAT.

Sipas raportit në muajin Shkurt 2021, aksidentet rrugore, në 81,0 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. “Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 31,6 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 10,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”.
/ Monitor