Për makinën amerikane Haas nuk ka për të qenë aspak e lehtë të menaxhojë sezonin e ardhshëm të Formula 1 dy pilotët e saj të rinj, rusin Nikita Mazepin dhe gjermanin Mick Schumacher.

Ky i fundit ka mbi shpatulla emrin dhe trashëgiminë e rëndësishme që ka lënë babi i tij, Michael Schumacher. Ndërsa rusi sjell me vete paratë, pasi babai i tij është sponsori kryesor i Haas.

Dy pilotë të talentuar, por që kanë një mënyrë jetese të ndryshme. Mick është më i disiplinuar, ndërsa Nikita më bredharak. Rusi, në një intervisatë për mediat ruse ka konfirmuar se nuk ka një marrëdhënie shumë të ngushtë me shokun e tij të ri të skuadrës.

Nuk jemi miq. Maksimumi jemi njohje të vjetra, duke qenë se kemi garuar së bashku në garat kart”, tha Mazepin.

Duke folur për sezonin e ri dhe rivalitetin brenda skuadrës me Mick, ku të dy do të garojnë me Haas, një makinë që sezonin e fundit është renditur në vendet e fundit, Mazepin thotë: “Nuk më intereson emri i tij. Ndoshta do të ketë më shumë pushtet, por edhe më shumë presion se unë. Gjithsesi, kur nis gara nuk mendoj shumë për këto gjëra”.