Atleti xhamajkan Usain Bolt, rekordmen botëror i garës së 100 dhe 200 metrave, ka aplikuar së fundi në Amerikë për ta kthyer festimin e tij të pasgarës në një markë të licensuar. Bolt, fitues i 8 medaljeve të arta olimpike, njihet për festimin e tij, ku përkulet pas dhe bën me gisht drejt qiellit.

Sipas Zyrës së Patentave dhe Markave të SHBA-së, z. Bolt paraqiti kërkesën e tij për markën tregtare më 17 gusht. Ai imazh festimi përshkruan “siluetën e një burri në një pozë të veçantë, me një krah të përkulur dhe drejtuar nga koka, dhe krahun tjetër të ngritur dhe drejtuar lart”.

Usain Bolt  synon të përdorë imazhin e festimit në artikuj të ndryshëm, duke përfshirë veshje, bizhuteri dhe këpucë, por edhe restorante e bare sportive, tregon dokumentacioni. Duke pasur parasysh që Bolt tani është tërhequr nga garat, me këtë lëvizje ai kërkon të zgjerojë perandorinë e tij të biznesit.

Silueta e pozës së tij të fitores njihet në mbarë botën. Ky regjistrim i markës tregtare do t’i mundësonte atij të ofrojë vetë artikujt e listuar në aplikacion ose të licencojë të drejtën për të përdorur markën për palët e treta.