Një tifoz e shpalosi flamurin kuqezi në “Santiago Bernabeu”, në mesin e 61 mijë tifozëve që ishin prezentë në ndeshjen Real Madrid-Manchester City, në gjysmëfinalen e kthimit të Ligës së Kampionëve.

Ai ia doli të takonte nga afër edhe futbollistin e preferuar të tij, Karim Benzema. Po cili ishte ky tifoz, që na bëri krenarë si shqiptarë teksa shpalosi flamurin kuqezi në një ngjarje të tillë, që kishte ngërthyer sytë e gjithë botës.

Për “Klan Kosova” foli vetë tifozi me kombësi turke, Gockhan GB, i cili rrëfeu për këtë përvojë krejt unike: “Qëllimi im kryesor ka qenë të takohem me Karim Benzema. Planin e kemi bërë me tre shokët e mi shqiptarë, që kemi qenë atje për ta ndjekur ndeshjen.

Mërgimi kishte flamurin me vete. Unë ia mora dhe u futa në fushë. Jam në dijeni se shqiptarët ndihen shumë krenarë me prejardhjen dhe flamurin e tyre. Kjo ishte arsyeja pse vendosa ta valëvisja flamurin kuqezi në fushën e “Santiago Bernabeut”.

Në fund të fundit besoj se ia ka vlejtur. Kur e takova Benzema mbeta pa fjalë, isha shumë i emocionuar. Nuk po e besoja se e takova futbollistin tim të preferuar. Atje nuk po mendoja për asgjë tjetër.

Kur mbaroi ndeshja, policia spanjolle më kërkoi të gjitha dokumentat e mia personale. Fatmirësisht nuk pata telashe me ta dhe u ktheva normalisht në Gjermani”.

Mërgim dhe Arben Nukiqi ishin dy shokët e tij shqiptarë, që bashkëpunuan në valëvitjen e flamurit kuqezi në stadiumin e Real Madridit: “Gokhan na bëri krenarë si shqiptarë me veprimin. Mbetëm shumë të kënaqur me atë që ndodhi. Flamuri që u valëvit në ‘Bernabeu’ mbeti në duart tona, do ta ruajmë si diçka të çmuar. Forca Albania!”