Temperaturat e larta kanë “pushtuar” Europën, me të nxehtin që po bëhet gjithnjë e më përvëlues në të gjithë kontinentin. Në shtete si Franca e Spanja temperaturat kanë kaluar 40 gradë, duke detyruar njerëzit t’u drejtohen plazheve dhe parqeve.

Edhe në Gjermani temperaturat po arrijnë shifra rekord prej 38 gradësh në mesin e qershorit. Këto temperatura ekstreme kanë provokuar edhe shumë vatra zjarri në mjaft shtete të Europës, kryesisht në Spanjë.

Në zonën e Andalusisë, në Spanjë, temperaturat kanë prekur edhe 50 gradë, ndërkohë që në zona si Kastilja dhe Katalonja temperature 40 gradë është diçka normale kohët e fundit. Kjo ka bërë që emergjencat civile të jenë në gadishmëri 24 orë për shkak të zjarreve. Mjaft persona janë evakuuar.

Edhe në Francë situata është e rëndë, pasi temperaturat kanë kaluar 40 gradë, duke bërë që 50 zona të jenë në gadishmëri për të ndihmuar personat në nevojë. Kryesisht probleme ka zona perëndimore e Francës.

Termometri ka kaluar 35 gradë edhe në zona kryesisht të freskëta si Zvicra e Gjermania, duke bërë që zjarret të jenë problematike. Madje në lindje të Gjermanisë termometri shënoi 38 gradë ditën e diel, duke bërë që zjarret të shkatërrojnë 100 hektarë pyll. Emergjenca do të vijojë deri ditën e martë.