Gjithandej flitet për variantet e reja dhe rrezikshmërinë që ato paraqesin në popullatë. Natyrshëm lind pyetja: Nga se shkaktohen dhe pse janë shtuar gjatë një periudhe të shkurtër disa mujore nga njëri-tjetri?

Ky virus, edhe pse të jep përshtypjen që pëson më shumë mutacione, ndryshon katër herë më ngadalë brenda vitit në krahasim me virusin e gripit stinor. Mund të kemi hasje të varianteve të reja, por kjo për shkak se survejanca gjenomike i ka zbuluar dhe i ka karakterizuar ndryshimet në mënyrë kumulative (=të grumbulluara) pas më shumë se një viti dhe mes më shumë se 100 milionë rasteve me COVID-19. Në parim sa më shumë kohë të kalojë dhe sa më shumë raste të kemi, aq më shumë shtohen gjasat për të gjetur variante ndryshe.

Çfarë të përbashkëte kanë variantet e reja? A kanë ndikuar në rritjen e vdekshmërisë dhe të agresivitetit të sëmundjes? Aktualisht e gjithë bota po flet për tre variantet më të përhapura për momentin, ai Britanik, i Afrikës së Jugut dhe Brazilit,duke menduar që të tre infektojnë më shumë. Për të shmangur çfarëdolloj stigme potenciale le ti referohemi si varianti i identifikuar në Britani, dhe jo Britanik, pasi viruset nuk kanë kombësi!

Këto variante kanë të përbashkët numrin e lartë të mutacioneve (17, 21 dhe 23 përkatësisht) siç shihet dhe te tabela përmbledhëse. Nëse infektojnë më shumë është një pyetje pak e gjerë dhe ende nuk ka prova shkakësore për ta vërtetuar. Ajo që kemi për momentin janë rezultate nga modele epidemiologjike të kompjuterizuara dhe eksperimente në linja qelizore dhe kafshë eksperimentale. Të gjitha këto prova demonstrojnë që kur këto variante bien në kontakt me veshjen e brendshme epiteliale të hundës, janë në gjendje të ‘lidhen’ më mirë me receptorët e qelizave tona në krahasim me variante të tjera ose variantet wildype (=i natyrshmi).

Si rrjedhojë, replikohen më mirë dhe koha e eliminimit të tyre është modestisht më e zgjatur. Mirëpo, siç edhe e kuptoni nëse ne biem në kontakt me virusin (pa maskë, pa larë duart dhe pa mbajtur distancë), pak rëndësi ka varianti, pasi rrezikohemi po njësoj nga COVID-19 – duke qenë se vdekshmëria apo agresiviteti nuk ka ndryshuar. Nëse infektohesh me cilindo variant ke po njësoj shanse të shtrohesh në spital sa gjithë të tjerët.
/ Heda.al