Një aventurë me fund të lumtur për 3 kubanezë, dy meshkuj dhe një grua, që për 33 ditë kishin qëndruar të izoluar në një ishull, në arkipelagun e Bahamas, Anguilla Cay. Ata arritën të mbijetonin, duke gjetur shpëtim në një ishull të pabanuar, pasi mjeti i tyre lundrues ishte përmbytur në det një muaj më parë.

Për fat të mirë, një helikopter i rojeve bregdetare amerikane arriti t’i shohë 3 të mbijetuarit gjatë kohës që po patrullonte në atë zonë. Të mbijetuarit kishin sajuar një flamur, që tërhoqi vëmendjen e personelit që ndodhej në helikopter, teksa e valëvitnin për të sinjalizuar praninë e tyre në ishullin e pabanuar.

3 personat e mbijetuar, treguan për mediat se varka e tyre u përmbys në det për shkak të motit të keq, por arritën të dalin me not në breg. Fakti që pas 33 ditësh ata janë ende gjallë është konsideruar një mrekulli. Ata sqaruan se gjatë kësaj periudhe ishin ushqyer me molusqe, arra kokosi dhe minj.

Edhe rikuperimi i tyre me helikopter ishte një aventurë me vete, që zgjati një ditë të plotë, për shkak të motit të keq (u asistuan gjatë 24 orëve me ushqime e ujë). Pasi u morën me helikpoter ata u transportuan në spitalin e Key West, ku po asistohen nga personeli mjekësor, për shkak të dehidratimit.