Grindja midis mbrojtësit të Marseille, Alvaro Gonzalez, dhe sulmuesit të PSG, Neymar, vazhdoi të mërkurën, me spanjollin që e quajti brazilianin “plehrë” në Twitter, pasi skuadrat u ndeshën në finalen e Superkupës së Francës. Trajneri Mauricio Pochettino fitoi trofeun e tij të parë me parizienët, teksa Mauro Icardi dhe Neymar shënuan për kryeqytetasit, ndërsa Dimitri Payet ngushtoi disavantazhin për marsejezët.

Neymar dhe Gonzalez kanë një histori, që buron nga incidenti i ndeshjes së shtatorit, në të cilën braziliani u përjashtua me karton të kuq për shuplakën ndaj spanjollit, në pjesën e pasme të kokës. Pas ndeshjes, Neymar akuzoi spanjollin për bërjen e komenteve raciste ndaj tij, duke shkruar në Twitter: “Keqardhja ime e vetme nuk është goditja e këtij gomari në fytyrë”.

Gonzalez, ndërkohë, mohoi pretendimet e Neymar, duke thënë se braziliani kishte nevojë “të mësonte si humbitet dhe ta pranonte këtë në fushë”. Pas një hetimi, Federata Franceze e Futbollit njoftoi se as Neymar dhe as Gonzalez nuk do të përballen me ndonjë dënim shtesë për incidentin.

Të dy lojtarët do të përplaseshin përsëri në fushë të mërkurën, me Gonzalez që bëri faull ndaj Neymar disa herë, duke përfshirë një incident, kur i vuri duart në fytyrën e brazilianit. Pas ndeshjes, Neymar shfrytëzoi rastin për ta sulmuar Gonzalez në Twitter, duke postuar një fotografi drejtuar mbrojtësit.

Gonzalez do të përgjigjej shpejt, duke shkruar: “Prindërit e mi gjithmonë më mësuan t’i hedh plehrat. Përpara gjithmonë OM”. Ndryshe nga takimi i shtatorit, të cilin Marseille e fitoi 1-0, PSG triumfoi mbrëmë për t’i dhënë Pochettino një trofe në vetëm javën e tij të dytë si trajner aty.