Pallati Mbretëror dha mbrëmjen e sotme lajmin e hidhur se mbretëresha Elizabeth II ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare.

Me vdekjen e mbretëreshës, froni kalon zyrtarisht në duart e djalit të saj të madh, princit Charles, i cili ka qenë trashëgimtar që në moshën tre-vjeçare. Në njoftimin e shpërndarë nga Pallati Mbretëror më herët thuhej se ‘Mbreti dhe gruaja e tij do të qëndrojnë në Balmoral dhe do të nisen për Londër nesër”.

Pak më parë, Familja Mbretërore ka ndarë një tjetër deklaratë në emër të mbretit Charles:

“Vdekja e Nënës sime të dashur, Madhërisë së Saj Mbretëreshës, është një moment i madh trishtimi për mua dhe të gjithë anëtarët e familjes sime.

Ne vajtojmë thellësisht vdekjen e një sovrani të dashur dhe një nëne shumë të dashur. Unë e di se humbja e saj do të ndihet thellësisht në të gjithë vendin, nga mbretëritë dhe Commonwealth si dhe nga njerëz të panumërt në mbarë botën.

Gjatë kësaj periudhe zie dhe ndryshimi, familja ime dhe unë do të ngushëllohemi dhe do të mbështetemi nga njohuritë tona për respektin dhe dashurinë e thellë në të cilën mbretëresha mbahej kaq gjerësisht”- shkruhet në deklaratën e shpërndarë nga Pallati Mbretëror në emër të Mbretit Charles.