Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e tij të fundit, ka shtyrë deri në fund të vitit gjendjen e emergjencës për energjinë elektrike. Në vendimin e qeverisë, thuhet se kjo masë është marrë pas propozimit të bërë nga zv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe ministrja e Energjisë, Belinda Balluku.

Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike do t’i shtrijë efektet deri më datën 31 dhjetor 2022”, thuhet në vendimin e marrë nga qeveria shqiptare. Kjo e fundit, në tetor të vitit të kaluar, shpalli emergjencë energjetike deri në prill 2022. Kryeministri Edi Rama në atë kohë deklaroi se ky vendim u mor për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare.

Pas vendimit, qeveria bëri publike edhe një plan me 3 pika, ku përfshihej garantimi i furnizimit me energji, mbrojtja e familjeve dhe biznesit të vogël nga rritja e çmimit dhe caktimi i 100 mln euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 mln euro në fillim të vitit tjetër.