Duke folur për “Stats Perform News”, Juan Sebastian Veron, ish-mesfushori i Interit, u ndal tek e ardhmja e Lionel Messi. Në këtë mënyrë, analizoi edhe hipotezën e zbarkimit të kapitenit të Barçës te zikaltrit: “Unë nuk mendoj se Leo mund të vijë në Itali. Nëse e bën, kjo është falë Javier Zanetti, të cilin e njeh. Ndoshta Zanetti do të përpiqet të flasë me të, duke e bërë të ndihet i rëndësishëm përsëri dhe duke i shpjeguar planet e ardhshme të klubit.

Në fund do të jetë një vendim i pastër i Messit. Por, nëse Interi dëshiron ta provojë, duhet të përdorë joshjen dhe t’i drejtohet zemrës së tij për t’u afruar. Unë nuk e di se edhe sa vite dëshiron Messi të luajë në këtë nivel, por nëse dëshiron të afrojë, Interi duhet ta bëjë atë pikë referimi, në nivelin më të lartë”.